
Katër vjet pas herës së fundit, Matthias Mayer vendos sërish në qafë medaljen e artë olimpike në sllallomin super gjigant. Edhe pse rrezikoi shumë në start, duke rrezikuar të penalizohej me nisje të gabuar, gjatë garës ai u shfaq i papërmbajtshëm dhe me një paraqitje tejet superiore ndaj rivalëve.
Kampioni austriak realizoi një tjetër arritje të shkëlqyer, pas suksesit të vitit 2018 në Korenë e Jugut. Mayer triumfoi edhe në Olimpiadën Pekin 2022, duke fituar për herë të tretë medaljen e artë olimpike dhe shkroi një faqe të artë të sportit të skive.
Kampioni austriak është i dyti në histori që arrin të fitojë për dy edicione me radhë garën e sllallomit super gjigant. Diçka të tillë, e kishte realizuar më parë vetëm legjenda Kjetil Andre Aamodt, i cili ka triumfuar në tre edicione, fillimisht në vitin 1992 dhe më pas në Olimpiadat e viteve 2002 dhe 2006.
Mayer fitoi për vetëm katër të qindtat avantazh nga amerikani Ryan Cochran-Siegle, i cili festoi medaljen e argjendit, teksa norvegjezi Kilde fitoi bronzin, e cila ishte medalja e tij e parë olimpike në karrierë. (A2 Televizion)