
Sllovenia është rreshtuar ndër shtetet që mbështesin dhe do të ndihmojnë Ukrainën në këto momente të vështira, të një agresioni të ashpër ushtarak nga ana e Rusisë. Në një postim në Twitter, Ministri i Mbrojtjes i Sllovenisë, Matej Tonin, shkuan se Sllovenia do të mbështesë Ukrainën edhe ushtarakisht.
“Ukraina duhet të përballojë presionin rus në këto momente kaq të vështira dhe vendimtare. Nëse Ukraina do të mposhtej, kjo do të nënkuptonte një ‘Luftë të Re të Ftohtë’, në të cilën Evropa do të paguante një çmim shumë të lartë. Sllovenia do të ndihmojë gjithashtu ushtarakisht Ukrainën”, shkruan Tonin në Twitter.
Ndërkohë, po në një postim në Twitter, ministri i Jashtëm slloven Anze Logar i bën thirrje 5 konsujve rusë të nderit që të kthejnë titujt e tyre konsullorë. “U bëj thirrje 5 konsujve të nderit të Federatës Rusë në Slloveni të kthejnë titujt konsullorë. Dhe ky është një vendim i vetëkuptueshëm…”.
Dita e tretë e sulmit rus, çfarë duhet të dini (A2 Televizion)
- Luftimet përreth Kievit kanë vijuar përgjatë natës. Ushtria ukrainase thotë se ka arritur të zmbrapsë forcat ruse nga bazat e saj pranë qyteteve kryesore.
- Një godinë banimi në Kiev është dëmtuar nga bombardimet.
- Në mëngjes, Presidenti Volodymyr Zelensky postoi një video të tij në qendër të Kievit, duke hedhur poshtë raportimet se kishte urdhëruar dorëzimin dhe u zotua se Ukraina do të mbrohej.
- Ministria ruse e Mbrojtjes thotë se forcat e saj kanë marrë nën kontroll qytetin juglindor Melitopol, por Ministria britanike e Mbrojtjes thotë se ka dyshime mbi këtë pretendim.
- Rreth 25 shtete të ndryshme kanë rënë dakord që të ndihmojnë Ukrainën me armatime.
- Ministria ukrainase e Shëndetësisë thotë se deri tani 198 persona kanë humbur jetën, mes tyre edhe dy fëmijë, dhe më shumë se 1000 persona janë plagosur.
- Polonia refuzon të luajë kundër Rusisë në mars një ndeshje futbolli të vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës.
- Organizata e Kombeve të Bashkuara vlerëson se 100 mijë persona janë larguar nga Ukraina në 48 orët e fundit.