Daçiç kundër perëndimit, Serbia mbledh këshillin e emergjencës. Priten lëvizjet e Vuçiç

Nga A2 CNN
24 Shkurt 2022, 17:07 | Ballkani
Daçiç kundër perëndimit, Serbia mbledh këshillin e

Serbia ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. “Presidenti Aleksandër Vuçiç, kryesoi Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe shkëmbeu informacione me anëtarët e Këshillit për situatën në rajon dhe Ukrainë”, thuhet në një njoftim të presidencës.

Në mbledhje mori pjesë kryeministrja, Ana Brnabiç, ministrat e mbrojtjes dhe rendit, të drejtësisë, shefi i inteligjencës dhe përfaqësues të ushtrisë. Presidenti ka thirrur një tjetër seancë të Këshillit të sigurisë kombëtare për nesër në orën 16. Pritet me shumë vëmendje qëndrimi i Vuçiç lidhur me sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, teksa ka presion të madh ndaj tij për të zgjedhur mes Europës dhe Putin.

Ndryshe nga presidenti, kryetari i kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç, njofton refuzimin e sanksioneve kundër Rusisë dhe e justifikon këtë qëndrim duke thënë se në vitin 1999 askush përveç Moskës nuk i qëndroi në krah Beogradit.

“Kemi vuajtur shumë për hir të tjerëve. Le të ruajmë raportet me BE-në, Rusinë dhe Kinën, pasi askush nuk do t’na mbrojë ne përveç Rusisë dhe Kinës”, u shpreh Daçiç. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos