
Zemërimi kundër racizmit që po vlon në Shtetet e Bashkuara është shpërndarë në të gjithë botën. Gjatë fundjavës, mijëra demonstrues u mblodhën në qytete si Londra, Berlini dhe Auckland në shenjë solidariteti me amerikanët, që prej ditësh protestojnë kundër brutalitetit të policisë.
Në kryeqytetin britanik, qytetarët sfiduan masat e qeverisë kundër grumbullimit të turmave, ndërsa disa prej manifestuesve marshuan dhe pranë ambasadës së SHBA.
E njëjta situatë dhe në Gjermani, ku shumë prej pjesëmarrësve në protesta mbanin maska në të cilat shkruhej: “Jeta e njerëzve me ngjyrë ka vlerë!”.
Në Danimarkë manifestuesit thërrisnin “pa drejtësi nuk ka paqe”, ndërsa pati edhe organizime pranë selisë diplomatike amerikane në Kopenhagen.
Të tilla protesta paqësore dhe simbolike u raportuan edhe nga Milano në Itali dhe qytete të ndryshme të Zelandës së Re e Kanadasë. (A2 Televizion)