​Sot Dita e Rinisë, 32 vjet nga Lëvizja Studentore e dhjetorit

Nga A2 CNN
8 Dhjetor 2022, 08:16 | Aktualitet
​Sot Dita e Rinisë, 32 vjet nga Lëvizja Studentore e dhjetorit

Prej vitit 2009, me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, 8 dhjetori përkujtohet si festë kombëtare e Rinisë, në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe të gjithë rinisë shqiptare.

Natën e 8 dhjetorit 1990, rreth 300 studentë nisën atë që më vonë u quajt Lëvizja Studentore 90-s. Të organizuar, ata marshuan nga Qyteti Studenti drejt qendrës së Tiranës, duke u bërë nismëtarë të kthesës së madhe historike të vendit, duke u ngritur në protesta që sollën rënien e sistemit komunist dhe ardhjen e demokracisë.

Marshimi i tyre ndaloi mes qytetit të tyre dhe Bulevardit të Tiranës. Radhët e tyre ishin shtuar minutë pas minute dhe turma kishte mbërritur deri në 1000 persona.

Përkundër paraqitjes së forcave policore, studentët nuk u ndalën, duke bërë që Lëvizja Studentore në ditët në vijim të rritej.

Të nesërmen më 9 dhjetor, studentët konfirmuan kërkesat e presidentit të asaj kohe, Ramiz Alisë, ku kërkonin në vija të përgjithshme pluralizmin politik, lirinë e fjalës dhe përshpejtimin e reformave demokratike.

Protestat do të vazhdonin edhe për dy ditët në vijim deri në datën 11 dhjetor në mbrëmje, kur në takim me Ramzi Alinë u konfirmua edhe pluralizmi politik, të cilin e shpallën menjëherë pas kthimit nga ai takim, duke nisur edhe organizimet për themelimin e Partisë Demokratike.

Lëvizja Studentore do të vijonte me organizime e protesta edhe në ditë te para të vitit 1991, deri në ditët e grevës së urisë dhe kulmuan mesditën e 20 shkurtit 1991, kur studentët të mbështetur nga pedagogët dhe shumë qytetarë të Tiranës, zbarkuan në sheshin “Skënderbej”, duke rrëzuar përfundimisht sistemin komunist. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos