
Turqia aktualisht po përjeton garën më të paqartë zgjedhore në dekadat e fundit, pasi dy kandidatët për president, Recep Tayyip Erdogan dhe Kemal Kilicdaroglu, janë shumë afër në sondazhe, megjithëse përfaqësojnë dy botë krejtësisht të kundërta. Presidenti aktual, 69-vjeçari Rexhep Tajip Erdogan ka qenë në pushtet për më shumë se 20 vjet dhe aktualisht po përjeton sfidën më të madhe politike të karrierës së tij dhe përballë ka një prej kundërshtarëve më të fortë nga ana e opozitës.
Ajo që ka ndryshuar në këto vite është se për herë të parë gjashtë parti opozitare kanë bashkuar forcat për zgjedhjet e sotme presidenciale dhe parlamentare, duke zgjedhur liderin e opozitës, Kemal Kilicdaroglu, si kandidat të aleancës së tyre. Bashkimi i forcave opozitare u shkaktua për shkak të akuzave se Turqia është bërë gjithnjë e më autoritare nën Presidentin Erdogan dhe opozita kërkon të vendosë një pengesë për shndërrimin e vendit në një "autokraci parlamentare".
Në të njëjtën kohë, presidenti turk duket i pambrojtur, me Turqinë që po përballet me një shpërthim inflacioni, pas tronditjes së fortë, sociale dhe ekonomike, nga tërmetet e dyfishta që lanë 50 mijë të vdekur.
Në këtë peizazh, çdo kandidat presidencial që mund të sigurojë më shumë se gjysmën e votave (50% plus 1) në zgjedhjet e sotme presidenciale do të jetë fituesi absolut. Ndryshe, “ndeshja” do të zhvendoset në raundin e dytë dy javë më vonë, më 28 maj.
Në bazë të përllogaritjeve, 64.1 milionë turq kanë të drejtën e votës, brenda dhe jashtë vendit. Duhet theksuar se Partia Zhvillim dhe Drejtësi (AKP) i themeluar nga Erdogan ka qenë në pushtet që nga nëntori i vitit 2002 dhe ka qeverisur Turqinë që nga viti 2003. Rezultati i kësaj është se brezi i ri, një grup prej pesë milionë votuesish që ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar për herë të parë në këto zgjedhje, nuk ka përjetuar asnjë lider tjetër. Dhe kjo sepse, Rexhep Tajip Erdogan ishte fillimisht kryeministër, por më pas u zgjodh president në vitin 2014, duke u rritur edhe më shumë. (A2 Televizion)