Kreu i Bashkisë së Korçës del kundër Qeverisë, kërkon anulimin e projektit për ndërtimin e TEC-it në Korçë.
Përmes një letre drejtuar ministrit të Mjedisit, Blendi Klosi dhe ministres së MEI, Belinda Balluku, kryebashkiaku i Korçës kërkon refuzimin e kërkesës së kompanisë GPP për ndërtimin e një TEC me gaz në afërsi të qytetit të Korçës.
“Ju kërkoj të mos aprovoni vlerësimin e ndikimit në mjedis pasi investitorët nuk kanë paraqitur asnjë garanci për një bilanc pozitiv të ndotjes. Projekti është shumë afër qytetit dhe në toka të frytshme bujqësore”, argumenton Filo qëndrimin e tij kundër ndërtimit të TEC-it në afërsi të qytetit.
Letra e Filos vjen pas protestave të shumta të banorëve të fshatit Sheqeras.
Ndërkohë, nuk ka munguar reagimi i ministrit të Mjedisit Blendi Klosi i cili në rrjetet sociale shkruan se diskutimet mbi TEC-in e Korçës janë “një zhurmë tipike e politikës së sajesave për sherr! S'ka asnjë autorizim e asnjë leje jo e jo, po thjesht një miratim në parim si investim strategjik. Për sa kohë s'ka një projekt të standardeve të BE-së, s'ka asnjë shans jo për të nisur punë, po për asnjë autorizim!”’ . (A2 Televizion)