Koja: Garantoj shqiptarët, spitalet nuk do të shkojnë në kolaps. Koduzi: Virusi po bën ç’të dojë

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2020, 22:05 | Aktualitet
Koja: Garantoj shqiptarët, spitalet nuk do të shkojnë në

“Testimet janë katërfishuar që nga qershori e deri sot. Po bëjmë aq sa kërkoi opozita, i vjen apo jo mirë atyre. Me gjithë dëshirën dhe ankthin e disave që shërbimi spitalor në Shqipëri të binte në kolaps, kjo nuk ka për të ndodhur. Spitalet tona nuk do të bien në kolaps. Këtë ia garantoj shqiptarëve. Kjo çështje do të trajtohet sipas skenarëve”.

Kështu u shpreh në A2 Business Week ish-ministri i Mjekësisë, Gjegji Koja. Ai theksoi se ka një plan të detajuar për menaxhimin e pandemisë.

“Ka një rritje të madhe të numrit të rasteve edhe në shumë shtete europiane. Është një situatë që i ka çuar në vështirësi serioze edhe sistemet shëndetësore në shumë shtete më të zhvilluara. Në Shqipëri, masat e para që janë marrë janë të moderuara. Masat janë përshtatur edhe me realitetin shqiptar dhe rekomandimeve të OBSH-së. Duke qenë se ka një rritje të pacientëve në spitale, tashmë konform strategjisë është hapur edhe spitali Covid-3, i gatshëm është edhe spitali Covid-4, si dhe spitalet rajonale. Duke qenë se është shtuar edhe numri i të shtruarve në spitale, padyshim që është shtuar edhe fluksi i punës. Mirëkuptoj ankthin e familjarëve, por garantoj se shërbimi ofrohet maksimalisht sipas të gjitha protokolleve. Duhet të mirëkuptohet edhe personeli për fluksin që ka. Duhet të kemi durimin përkatës”.

Ndërkohë, gazetarja Ermelinda Hoxhaj ngriti shqetësimin se shumë persona nuk marrin dot informacion për të afërmit e tyre të shtruar në spitale. “Njerëzit nuk kanë informacion për të afërmit e tyre që janë të shtruar. Sot rastisa me një qytetar në spital, i cili qëndronte aty prej 4 ditësh dhe ende nuk e dinte se kush ishte mjeku që ndiqte vëllain e saj. Qytetarët thonë se ka një far neglizhimi. Duhet një menaxhim më i mirë, që qytetarët të marrin përgjigje. Nuk ka një numër telefoni se ku të referohen. Kordinatorja në spital nuk mund të ketë informacion për të gjithë”.

Për Gazmend Koduzin, kreun e departamentit të shëndetësisë në Partinë Demokratike, situata është lënë në rrjedhje të lirë. “Virusi bën çfarë t’i dojë qejfi. Pacientët shkojnë ku të kenë mundësi, ndërsa institucionet që duhet të menaxhojnë situatën janë të mbingarkuara. Ajo që të bën habi është numri i personave në reanimacion dhe atyre në intubim është shumë i ulët. Kjo do të thotë se shumica e pacientëve të shtruar në spital nuk paskan nevojë për kushte shumë speciale, por mund të trajtohen edhe në spitalet rajonale. Kjo do të bënte të mos kishim mbingarkesë. E dyta, që në situatë epidemie është shumë e rëndësishme të infektohen personat e infektuar, por sot Shqipëria është vendi i fundit me numrin më të ulët të testimeve”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos