SPAK e merr të pandehur, gjyqtarja e vetingut vijon detyrën në KPK

Nga A2 CNN
6 Qershor 2022, 15:23 | Aktualitet
SPAK e merr të pandehur, gjyqtarja e vetingut vijon detyrën në

Vënia zyrtarisht nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, nuk e ka penguar anëtaren e KPK, Etleda Çiftja, të vijojë normalisht detyrën e saj.

Këtë të hënë, Çiftja, ishte pjesë e trupit gjykues që do të bëjë rivlerësimin kalimtar të gjyqtarit të Tiranës, Altin Abdiu. Ndonëse seanca dëgjimore u shty për shkak të mungesës së avokates së Abdiut, nga kryesuesi i seancës nuk u relatua asgjë lidhur me situatën e re penale të anëtares Çiftja.

Javën e kaluar SPAK ngriti dy akuza ndaj anëtares së trupës që rivlerëson gjyqtarët e prokurorët, atë të “fshehjes dhe deklarimit i rremë i pasurisë” dhe “falsifikim i dokumenteve”. Nga hetimi i Prokurorisë së Posaçme janë gjetur mangësi në deklarimin e bërë nga Çiftja në lidhje me pasuritë që zotëronte para se të bëhej pjesë e vetingut, si edhe për paraqitjen e një dokumenti të falsifikuar, një dëshmi për njohje gjuhe të huaj, kur aplikoi për në KPK.

https://a2news.com/2022/06/04/spak-gjyqtarja-e-kpk-akuzohet-per-deklarim-te-rreme-dhe-falsifikim/

Burime pranë SPAK konfirmuan për A2CNN, se njoftimi i akuzës për Çiften i është bërë me dije institucionit të KPK, ndërsa ky i fundit, nuk pranoi që për Çiften të jetë bërë ndonjë mbledhje për të vendosur për pezullimin ose jo të saj nga detyra.

Rasti i Çiftes duket i ndryshëm nga standardi i ndjekur nga Shkalla e Dytë e Vetingut, ku në dy raste të veçuara, kur anëtarët Luan Daci e Ardian Hajdari u morën nën akuzë nga SPAK, KPA vendosi pezullimin e tyre nga detyra deri në përfundim të procesit penal. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos