
Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza ndaj Lefter Kokës edhe për inceneratorin e Elbasanit. Sipas informacioneve të siguruara nga A2 CNN, SPAK ka mbyllur hetimet edhe për këtë impiant të përpunimit të mbetjeve dhe gjatë të enjtes paradite i ka komunikuar akuzat ish-ministrit të Mjedisit.
Koka u arrestua fillimisht i akuzuar për korrupsion në procedurën për inceneratorin e Fierit, ku dyshohet se ka përfituar 1,2 milionë euro. Gjithashtu, SPAK pretendon se Koka ka përfituar 3,7 milionë euro për favorizimet në inceneratorin e Elbasanit.
Ish-ministri i Mjedisit ndodhet në burg, pasi gjykatat disa herë kanë hedhur poshtë kërkesën e tij për t’u gjykuar në gjendje të lirë. Për këtë çështje, në burg u rikthye edhe ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako. (A2 Televizion)