SPAK me antimafian italiane, Kraja: Krimi shqiptar i shtrirë deri në Amerikën e Jugut

Nga A2 CNN
24 Shkurt 2022, 16:21 | Kronikë
SPAK me antimafian italiane, Kraja: Krimi shqiptar i shtrirë deri në

Nga Bari në Itali ku mori pjesë në një aktivitet për luftën 30-vjeçare kundër mafias, kreu i SPAK, Arben Kraja foli për grupet kriminale shqiptare. Kraja ngriti shqetësimin se paratë e pista pengojnë zhvillimin e vendit, ndërsa krimi shqiptar është shtrirë deri në Amerikën e Jugut.

“Krimi shqiptar është i shtrirë, jo vetëm në Europë, por deri në Amerikën e Jugut. Kemi vendosur kontakte me gjithë homologët në rajon dhe më gjerë. Kemi 10 skuadra të përbashkëta hetimore me Italinë. Skuadra hetimore edhe me shtete të tjera, Gjermaninë dhe Spanjën. Edhe pse aktiviteti kriminal mund të zhvillohet jashtë Shqipërisë, pasojat vijnë edhe në Shqipëri. Transferimi i parave nga aktiviteti kriminal bëhet në Shqipëri. Janë para që përdoren për të dëmtuar zhvillimin e lirë. Përdoren për të korruptuar sistemin dhe për të rritur më tej aktivitetin kriminal. Në Shqipëri shohim shpesh vrasje mes grupeve kriminale për aktivitete që kanë kryer jashtë Shqipërisë. Në situatë të tillë është e domosdoshme bashkëpunimi me çdo strukturë jashtë”, deklaroi kreu i SPAK.

Kraja tregoi para prokurorëve italianë edhe rastin e hetimit të tentativës për të pastruar 18 milionë euro ku e përfshirë ishte mafia siçiliane.

“Morëm një informacion për një transfertë parash nga Zvicra në Shqipëri nga një shtetas italian në korrik të vitit të kaluar. Pasi bëmë verifikime rezultoi se ishte një person i përfshirë në krimin e organizuar dhe mafien italiane. Pasi shkëmbyem informacionin me kolegët italianë nisën 2 hetime, një në Palermo dhe një në SPAK. Pas 3 muajsh hetim , në një ditë 3 persona u arrestuan në Itali dhe 3 në Shqipëri për pastrim parash në kuadër të grupit kriminal. Sekuestruam 18 milionë euro në një bankë në Shqipëri që ishin të ardhura nga aktiviteti kriminal i mafias siçiliane”, theksi Kraja.

Gjatë konferencës, drejtuesit e autoriteteve italiane u shprehën se mes dy vendeve ka bashkëpunim të ngushtë, i cili ka çuar në finalizimin e disa operacioneve ndërsa vëmendje e veçante i është kushtuar goditjes së aseteve kriminale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos