Biznesmeni italian, Francesco Becchetti, dënohet me 17 vite burg

Nga A2 CNN
23 Shkurt 2022, 15:10 | Kronikë
Biznesmeni italian, Francesco Becchetti, dënohet me 17 vite burg

Gjykata e Tiranës dënoi me 17 vite burg biznesmenin italian Francesco Becchettin, i cili akuzohet se përmes kompanive të tij kishte krijuar një skemë të mashtrimit me TVSH dhe pastrim parash. Biznesmeni italian vazhdon të jetë në arrati dhe për të ka një mandat arresti ndërkombëtar.

Becchetti u akuzua për 4 vepra penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikim Dokumentesh”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”.

Edhe Bashkëpunëtori i tij italian, Mauro De Renzis, u dënua me 16 vite burg ndërsa e ëma e Becchettit, Liliana Condomitti, me 8 vite heqje lirie. Me 8 vite burg u dënua dhe Erjona Troplini, ndërsa Stavri Peçi dhe Fetah Dervishi janë dënuar me shërbim prove për shkak të moshës. Gjykata ka vendosur edhe që 4 kompanitë e sekuestruara Becchettit, konkretisht për “Energji” sh.p.k. “Cable System” sh.p.k, “400 KV” sh.p.k dhe “Agon Set” sh.p.k i kalojnë shtetit.

Biznesmeni prej kohësh është një temë debati politik në Shqipëri, pasi fitoi në arbitrazh ndërkombëtar 110 milionë euro nga shteti shqiptar, i cili i sekuestroi pasuritë përfshi televizionin “Agon” në vitin 2015. Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) një gjykatë arbitrazhi, pjesë e Bankës Botërore, e dënoi Shqipërinë në prill të vitit 2019 me 110 milionë euro, duke gjykuar se mbyllja e televizionit ishte “motivuar politikisht”. Lidhur me këtë vendim, reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se Shqipëria ka fituar 3 nga 4 gjyqet ndërkombëtare ndaj këtij marifetçiu siç ai e quajti Becchettin, ndërsa vendimin e arbitrazhin e konsideroi të padrejtë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos