Ryshfet sekretares së Ministrisë për një tender, ndalohet administratori dhe inxhinieri i kompanisë

Nga A2 CNN
4 Qershor 2023, 13:42 | Kronikë
Ryshfet sekretares së Ministrisë për një tender, ndalohet

SPAK ka zbardhur të plotë skemën e korrupsionit që çoi në pranga Sekretaren e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë, Joana Duro. Bëhet fjalë për një ryshfet në vlerën e 330 mijë lekëve të dhëna nga administratori i një kompanie, në mënyrë që Duro të ndërhynte për t’i dhënë kësaj firme në mënyrë të paligjshme një tender.

Administratori me iniciale V.T. i ka dhënë përmes personave të tjerë 330 mijë lekë Duros për të përfituar nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë, me objekt “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.

Këto para, administratori ia kishte dhënë fillimisht inxhinierit, S. Sh dhe ky i fundit do ia jepte Laura Shtetos, e cila ishte personi që kishte njohje dhe mbante kontakte me Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë, Joana Duro. Mirëpo, skema nuk u funksionoi, pasi Duro u kap në flagrancë teksa po merrte paratë.

"Në vijim të njoftimit të datës 03.06.2023, informojmë se në kuadër të hetimit të procedimit penal nr.10/1 të vitit 2023,  hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar në datën 03.06.2023 dhe 04.06.2023 urdhërat e ndalimit të Prokurorisë së Posaçme ndaj shtetasve V. T. dhe S. Sh., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nene 245 dhe 25 i Kodit Penal.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore është krijuar dyshimi se vlera e përfituar në mënyrë të parregullt nga shtetasja J.D., me funksionin Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale (në shumën 330.000 lekë), është dhënë si ryshfet nga shtetasi V.T., administrator i operatorit ekonomik “Dri…” sh.p.k, me qëllim për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, me objekt “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.

Po ashtu, janë grumbulluar prova që krijojnë dyshimin se shtetasi S. Sh., me detyrë inxhinier pranë operatorit ekonomik “Dri…..” sh.p.k, pasi e ka marrë vlerën monetare prej 330. 000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë nga banesa e shtetasit V. T., ja ka dërguar më pas shtetases L. Sh., e cila ishte personi që kishte njohje dhe mbante kontakte me Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, J. D., kjo e fundit e kapur në flagrancë me shumën e vlerës monetare të përfituar në mënyrë të parregullt". (A2 Televizion)

Njoftimi i SPAK
https://a2news.com/2023/06/03/arrestimi-i-sekretares-se-pergjithshme-te-shendetesise-mori-330-mije-leke-per-te-favorizuar-nje-operator-ekonomik/
https://a2news.com/2023/06/02/arrestohet-sekretarja-e-pergjithshme-e-ministrise-se-shendetesise/

A2 CNN Livestream

Latest Videos