
Laçi dhe Erzeni kanë ndarë pikët pas një ndeshjeje spektakolare, e cila u mbyll në barazim 3-3. Edhe pse vendasit ishin në avantazhin e 2 golave, shijakasit besuan dhe arritën të rrëmbejnë një pikë nga kjo transfertë e vështirë e vlefshme për javën e parë të Kategorisë Superiore.
Pjesa e parë u mbyll 2-1 për Laçin teksa për ta shënuan Sobowale dhe Bajramaj, ndërsa për Erzenin realizoi Mihana.
Në të dytën, Laçi gjeti edhe golin e tretë me anë të Ujkës në minutën e 62-të, por i lëshoi shumë terren kundërshtarit, i cili nuk u dorëzua në asnjë moment. Mihana realizoi golin e dytë për Erzenin dhe të dytin personal në minutën e 82-të, ndërsa 6 minuta më pas, Kahrimanovic vulosi rezultatin në 3-3 pasi ktheu në gol një 11-metërsh. (A2 Televizion)