
Pas dy vitesh mungesë nga pandemia, në Tajlandë rikthehet festivali i frutave për majmunët. Të vëzhguar nga turistë dhe banorë lokalë, mijëra majmunë në Lopburi, festuan me 2 tonë fruta dhe perime.
Qindra makakë, të njohur edhe si majmunë me bisht të gjatë, u panë duke u ngjitur mbi njerëzit dhe malet e frutave, duke ngrënë banane dhe ananas. Eventi organizohet kryesisht për bamirësi.
“Është edicioni i 33 që mbajmë këtë event. Këtë vit tema është ‘Festa e Majmunëve në Karrige me rrota’. Ne do të dhurojmë 100 karrige me rrota për njerëzit në nevojë”, thotë Yongyuth Kitwatananusont, organizator i eventit.
“Është hera e parë në dy vite që majmunë të ushqehen me lloje frutash dhe perimesh, kështu që jam i lumtur për ta”, thotë një banore.
Festa, e cila kushton mbi 100 mijë baht, apo 3 mijë dollarë, është një traditë e përvitshme për banorët e zonës për të falënderuar majmunët që tërheqin turistë. Lopburi, njihet ndryshe edhe si “Provinca e Majmunëve”. Ndërkohë, turistët po kthehen gradualisht në Tajlandë, pasi qeveria nisi një skeme të udhëtimit të lirë pa karantinë për personat e vaksinuar.
Mbi 100 mijë turistë kanë vizituar këtë shtet që prej fillimit të nëntorit, shifër më e lartë se 10 muajt e fundit të marra së bashku. (A2 Televizion)