Spitali i Laçit do të prishet për t’u ndërtuar një objekt i ri. Tërmeti i 26 nëntorit e ka nxjerrë jashtë funksionit. Të gjitha vizitat e planifikuara do të kryhen në spitalin e Lezhës dhe atë të Mamurrasit, ndërsa Urgjenca e qytetit është vendosur në ambientet e një Kishe.
“Shërbimet e urgjencës së qytetit të Laçit janë vendosur në ambientet e një kishe, të cilat janë përshtatur për të përballuar emergjencat në të gjithë zonën. Kapaciteti i shtretërve është po ai që ka qenë”, u shpreh Astrit Beci, drejtor i operatorit shëndetësor për veriun.
Pas tërmetit, shërbimi i Urgjencës është dhënë në çadra për banorët e Laçit, por edhe qëndrimi në ambientet e Kishës do të jetë i përkohshëm.
“Ne mendojmë që urgjenca në këto ambiente do të qëndrojë për një afat kohor dy javor, gjatë së cilës do të merren masa për ndërtimin e urgjencës së rë pranë ambienteve të spitalit”, shtoi Beci
12 objekte shëndetësore janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Ministria e Shëndetësisë, nga Mamurrasi, deklaroi se një pjesë do të rikonstruktohen ndërsa të tjera kanë hyrë në planin e rindërtimit.
“Për dëmtimet e lehta ne kemi marrë masat që të mundemi t’i ristrukturojmë dhe kemi nisur punën për rehabilitimin e këtyre qendrave që kanë pasur dëme të lehta. Kurse për ato që kanë pësua dëme të rënda, ku futet dhe qendra shëndetësore e Mamurrasit, të mundemi që ta transferojmë”, tha ministrja Manastirliu.
Gjatë ditëve pas tërmetit janë kryer mbi 6 mijë vizita mjekësore dhe rreth 1500 vaksinime tek banorët që janë të sistemuar në hotele. (A2 Televizion)