Gjermania kryeson 3-0 ndaj Skocisë në ndeshjen hapëse të kampionatit evropian që po luhet në mitikun e Mynihut, “Allianz Arena”.
“Pancerat” e mbyllën pjesën e parë në avantazh të trefishtë, me golat e dy talenteve Florian Wirtz e Jamal Musiala, dhe një penallti të kthyer në gol nga Kai Havertz.
Plani i Julian Nagelsmann funksionoi që në fillim, edhe pse minutat e para të sfidës që çeli siparin e Euro2024 u karakterizuan nga nervozizmi në të dy kampet.
Wirtz shënoi golin e parë të sfidës në minutën e ’10 të sfidës me gjuajtjen e tij të parë nga 16 metrat. Gjermanët më pas ishin të shpejtë, helmues dhe absolutisht të rrezikshëm në gjysmëfushën e skocezëve.
Skuadra e Nagelsmann shënoi golin e dytë me Musialan në minutën e ’19, ndërsa pak para pushimit, Porteous u përjashtua me karton të kuq për një faull brutal ndaj Gundogan brenda zonës. Penalltia e fituar nga turko-gjermani e ktheu në gol Havertz. (A2 Televizion)