Menjëherë pas disfatës me Italinë nuk ka pushim për kombëtaren shqiptare. Kuqezinjtë kanë nisur menjëherë përgatitjet për ndeshjen e dytë në grup, atë ndaj Kroacisë e programuar më 19 qershor në orën 15:00.
Mesditën e të dielës, lojtaret takuan fillimisht familjarët e tyre dhe menjëherë më pas kanë zbritur në fushë. Të drejtuar nga trajneri Silvinjo, përfaqësuesja shqiptare, zhvilloi një seancë të lehtë stërvitore pa shumë ngarkesë fizike, veçanërisht nga lojtarët që e nisën takimin si titullar.
Edhe pse debutuan me humbje në Euro2024, kombëtarja shqiptare beson ende se mund të bëjë surprizën ndaj Kroacisë në një derbi ballkanësh. Takimi është i programuar këtë të mërkurë në orën 15:00. (A2 Televizion)