Jude Bellingham ishte heroi i mbrëmjes së djeshme për Anglinë, pasi goli i tij në minutën e 13-të i dhuroi “Tre Luanëve” fitoren e parë në grupin C, përballë Serbisë.
Ishte një zhytje fluturimthi brenda zonës që ktheu në gol asistin perfekt të Bukayo Saka nga e djathta. Edhe performanca e mesfushorit të Real Madrid gjatë 90 minutave ishte mbresëlënëse, por ajo çka mori vëmendje më tepër ishte festimi i pazakontë i golit nga 20-vjeçari.
Të gjithë jemi mësuar me festimin klasik “Belingoool”, që Jude ka bërë gjatë gjithë sezonit në “Santiago Bernabeu”, por në “Veltins Arena” ai festoi me yllin e Liverpool, Trent Alexander Arnold. Dyshja angleze ranë në gjunjë përballë njëri-tjetrit dhe mbuluan fytyrën me njërën dorë.
Festimi quhet “Ujku” dhe shkon sipas video-lojës "Werewolf", e cila ka qenë pjesë e formave të argëtimit në kampin e “Tre Luanëve”, edhe gjatë Kupës së Botës 2022 në Katar.
Loja është shumë popullore dhe kërkon nivel të lartë inteligjence dhe strategjish e mashtrimesh nga ata që zgjedhin ta luajnë. Ajo bazohet në një lojë me role dhe pozicione të quajtur Mafia, e cila u zhvillua nga krijuesi rus Dimitry Davidoff në 1986, dhe një version spin-off është i lidhur me shfaqjen hit të BBC-së, “The Traitors”.
Në këtë lojë, një grup i vogël i informuar, të quajtur "ujqër" vendosen kundër shumicës së painformuar të njohur si "fshatarët" dhe secili nga grupet përpiqet të mashtrojë tjetrin për të fituar.
Duke folur për BBC teksa merrte çmimin e lojtarit të tij të ndeshjes, Bellingham foli për mënyrën e festimit dhe tha: "Kur luajmë Wolf, një nga stafi e pëlqen atë fytyrë, kështu që ishte një festë e vogël në grup për ekuipazhin e Ujkut. Ishte më shumë një festim në nder të stafit që qëndron në prapaskenë e që bën aq shumë punë çdo ditë, dhe ata nuk do të marrin asnjë çmim si ky apo do të kenë momentet që ne i përjetojmë. Por ne i vlerësojmë ata aq shumë dhe është e rëndësishme që gjatë rrugës tonë në këtë turne ta ruajmë atë atmosferë”.
Edhe Alexander-Arnold u pyet gjithashtu për festimin duke thënë se shkon për lojën që luajnë në kampin stërvitor.
“Gjeta një fotografi tonën duke luajtur në tetor apo nëntor. Ia tregova Xhudit dhe thamë, shiko se do të duhet ta bëjmë. Natyrisht që ai ka festimin e tij ikonik, por ne thamë nëse njëri prej nesh shënon, është e drejtë ta bëjmë”.
Besohet se festimi ishte për fotografin e kombëtares angleze, Eddie Keogh. (A2 Televizion)