12 ditë para Italisë, Sylvinho: Morëm përgjigjet që kërkonim

Nga A2 CNN
4 Qershor 2024, 11:30 | Futboll

Pas fitores kundër Lihtenshtejnit, trajneri i Kombëtares, Sylvinho, u shpreh i kënaqur më atë që pa në fushë. “I morëm përgjigjet që kërkonim. Lojtarët janë shumë të motivuar dhe kanë bërë mirë. Nuk ka lidhje fakti që kundërshtari ishte i lehtë, krahasuar me ata që do të kemi në Europian, janë situata të ndryshme”, tha braziliani.

Ai vlerësoi dy sulmuesit golashënues, për formën e të cilëve kishte dyshime, duke qenë se nuk kanë luajtur shumë gjatë këtij viti. “Broja dhe Asani luajtën mirë, por nuk ishin vetëm ata të dy në fushë. I dhamë prioritet lojtarëve që nuk kanë luajtur shumë në javët apo muajin e fundit. Pas disa ditëve stërvitje, ishte momenti që të shkonin në fushë e të luanin. Ajeti kishte 2-3 muaj pa luajtur një ndeshje të plotë. Disa lojtarë i lamë pushim, donim të provonim diçka më tepër, por për fat të keq rregullorja e UEFA-s lejon vetëm 6 zëvendësime. Praktikisht, kemi ardhur me dy skuadra për në Euro 2024”.

Sulmuesi Armando Broja zhbllokoi rezultatin e ndeshjes, duke gjetur hapësira mes mbrojtësve të modestëve nga Lihteshtejni. “Gjithçka shkoi mirë, e dominuam takimin. Edhe taktikat e trajnerit ishin shumë të mira”, tha ai pas ndeshjes.

“Çdo miqësore ka rëndësinë e vet”, shtoi Jasir Asani, i cili riktheu në këtë ndeshje “vesin” e golave spektakolarë me të majtën. “Ishte miqësore që të merrnim veten, të kemi vetëbesim shumë të madh. Na presin ndeshje shumë të vështira në Europian”.

“Këto janë ndeshje që të marrim “benzinë” neve që kemi luajtur më pak”, tha kampioni i Italisë me Interin, Kristjan Asllani. “Kemi bërë një ndeshje të mirë, e kemi qarkulluar topin shumë mirë. Bënë 3 golat sulmuesit, kjo është gjë e rëndësishme, që të marrin besim edhe ata”.

Shqipëria luan me datë 7 qershor kundër Azerbajxhanit në miqësoren e fundit para nisjes së Europianit.

Kombëtarja do ta nisë rrugëtimin e saj në Europian kundër kampionëve në fuqi të Europës më 15 qershor 2024 ndaj Italisë. Sfida do të luhet në orën 21:00, në stadiumin “BVB Stadion Dortmund”. Katër ditë më pas, më datë 19 qershor 2024 kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e dytë të Europianit kundër Kroacisë duke nisur nga ora 15:00, në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg”. Ndeshjen e fundit në Grupin B, Shqipëria do ta luajë ndaj Spanjës më datë 24 qershor 2024 në stadiumin “Dusseldorf Arena” në orën 21:00.

Kalendari i plotë

15.06.2024 Itali-Shqipëri, “BVB Stadion Dortmund”, ora: 21:00

19.06.2024 – Kroaci-Shqipëri, “Volksparkstadion Hamburg”, ora: 15:00

24.06.2024- Shqipëri-Spanjë, “Düsseldorf Arena”, ora: 21:00 (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos