Arsyeja pse Mbappe nuk do të ngasë dot makinën në Madrid

Nga A2 CNN
4 Qershor 2024, 08:44 | Futboll

Arsyeja pse Mbappe nuk do të ngasë dot makinën në Madrid

Real Madrid më në fund ka arritur marrëveshjen me Kylian Mbappé. Klubi madrilen ka njoftuar zyrtarisht ardhjen e ish-futbollistit të Paris Saint Germain, prezantimi i të cilit në Santiago Bernabéu është planifikuar për në korrik.

Por, kur të mbërrijë në Madrid, ndryshe nga shokët e tij të ekipit që vijnë në stërvitje duke drejtuar makina luksoze, sulmuesi francez do të udhëtojë gjithmonë me një shofer për arsye se nuk ka leje drejtimi.

25-vjeçari Mbappé mund të kishte marrë lejen 7 vjet më parë, pasi në Francë, ashtu si në Spanjë, patenta mund të merret duke nisur nga mosha 18 vjeç. Që kur nënshkroi kontratën me Paris Saint Germain, në moshën 18-vjeçare, klubi parizian vuri në dispozicion të sulmuesit të talentuar një shofer privat, truprojë dhe kuzhinier.

Ideja ishte që shoferi ta shoqëronte derisa futbollisti të merrte lejen e drejtimit. Në fakt, klubi kishte organizuar regjistrime dhe mësime për të në disa autoshkolla në kryeqytetin francez, por Mbappé nuk ka qenë asnjëherë shumë i interesuar për të marrë patentën. Tani që ai ka mbërritur te Real Madrid, do të duhet të shohim se si do të reagojë në këtë drejtim klubi kampion Evrope, i cili ka një marrëveshje bashkëpunimi me BMW-në.

Siç ka treguar në një intervistë për “Bleacher Report”, marrja e patentës për Kylian Mbappe nuk ka qenë kurrë një nga prioritetet e tij. Mbappé ka rrëfyer se që në moshë të vogël ka qenë i fokusuar në rritjen e tij si futbollist. Ai donte të bëhej futbollist i madh dhe nuk kishte kohë të mësonte të drejtonte makinën.

“Është një nga disavantazhet kur bëhesh i famshëm herët”, komentoi ai gjatë intervistës.

“Më kanë munguar gjërat e thjeshta si patenta. Unë mendoj se të gjithë e kanë atë. Për shumë njerëz është një detyrim, por për mua nuk ishte. Patenta është zakonisht sinonim i autonomisë, por autonominë e kam pasur shumë herët, sepse kam pasur gjithmonë shofer në dispozicion”, përfundoi ylli francez.

Edhe pse nuk ka patentë shoferi, ka nga ata që pretendojnë se ylli francez ka një koleksion makinash të nivelit të lartë. Është publikuar në media të ndryshme se ai zotëron një edicion të kufizuar Ferrari 488 Pista. Një makinë sportive që ka një çmim rreth 500 mijë euro. Një makinë që sulmuesi do të mund ta shijojë vetëm brenda garazhit të tij, pasi nuk mund ta ngasë atë.

Përveç Ferrarit, Mbappe gëzon modele të tjera të përshtatshme për dikë pa leje drejtimi. Bëhet fjalë për një Volkswagen Multi Van, i cili ka një çmim prej 80 mijë euro dhe një furgon tjetër, një Mercedes-Benz V-Class, me vlerë 134 000 euro. Dy automjete me shumë hapësirë ​​në sediljet e pasme dhe ideale për ata që kanë shofer personal.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos