Mbrëmje spektakolare për Albion Rrahmanin në stadiumin ‘Fadil Vokrri’! Sulmuesi i kombëtares së Kosovës ishte në një formë të jashtëzakonshme, duke realizuar 3 gola dhe duke udhëhequr skuadrën drejt fitores me rezultat 4-2 ndaj Komoreve.
Rrahmani, që këtë muaj ka qenë protagonisti absolut i përfaqësueses, konfirmoi edhe një herë formën e tij të shkëlqyer. Me tre golat e shënuar sonte, ai e çoi në pesë numrin e golave personalë në dy miqësoret e fundit, duke u bërë një nga pikat më të forta të ekipit të drejtuar nga Franco Foda, shkruan A2 CNN.
Pas ndeshjes, në një prononcim për mediat, Rrahmani u shpreh: “Jam shumë i kënaqur me këto dy ndeshje. Jam shumë i lumtur dhe krenar që arrita ta ndihmoj kombëtaren. Topi i ndeshjes pas het-trikut do të jetë një kujtim shumë i bukur.”
Tekniku Foda gjithashtu ka përgëzuar sulmuesin e tij: “Dy ndeshje, pesë gola — nuk është keq!” ka qenë komenti i tij për performancën e Rrahmanit.
Ky het-trik konfirmon edhe një herë se Albion Rrahmani po shndërrohet në një nga armët më të forta të Kosovës për sfidat e ardhshme ndërkombëtare. (A2 Televizion)