“Dorë” italiane te Letonia, Sylvinho: Ka nisur numërimi mbrapsht

Nga A2 CNN
9 Qershor 2025, 16:54 | Futboll

Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, ka vlerësuar punën që ka bërë kolegu i tij te Letonia, skuadër me të cilën Shqipëria do të ndeshet të martën në mbrëmje në kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Ai shtoi se ndeshja është tepër e rëndësishme, për të dy skuadrat. “Ka nisur tashmë numërimi mbrapsht. Nuk e di a është vendimtare, por shumë e rëndësishme. Letonia ka një trajner italian, Paolo Nicolato, luajnë në mënyrë të kodifikuar. Letonia ka lojtarë të gjatë dhe mund të luajë në disa mënyra. Nuk e di se si do të përkthehet termi “i kodifikuar” te trajneri, por nesër do flas vetë me të në fushë”, tha braziliani në konferencë për mediat, shkruan A2 CNN.

I pyetur se cili do të jetë kapiten nesër, duke qenë se mungon për shkak dëmtimi Berat Gjimshiti, Sylvinho tha: “Varet, nëse luan një lojtar, zgjidhet ai. Nëse nuk luan, do jetë një tjetër”. Në mungesë të Gjimshitit, kapiten i Shqipërisë ka qenë Hysaj, ndërsa në disa raste edhe Ardian Ismajli. Duket se braziliani nuk e ka ndarë ende mendjen nëse të martën do të luajë Balliu apo shkodrani që fitoi penalltinë kundër Serbisë.

Sylvinho iu përgjigj edhe pyetjes për mundësinë e përdorimit të Mario Mitajt në mesfushë, duke parë aftësitë e tij me topin. “Është lojtar shumë teknik. Por  nuk është e lehtë. Në Kombëtare nuk ke kohë për të parë lojtarin. Nuk kemi kohë për të provuar. Ai është mbrojtës i majtë, ka shumë cilësi dhe jep më të mirën në kombëtare dhe klubin ku luan. Kështu që do të vazhdojë kështu për momentin”, tha braziliani.

Pas barazimit 0-0 të shtunën ndaj Serbisë, Shqipëria renditet në vend të dytë në grupin kualifikues për Kupën e Botës, me 4 pikë. Sfida e radhës për kuqezinjtë është ajo në Riga kundër Letonisë të martën në 20:45. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos