Trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviç u vendos në qendër të akuzave nga mediat në Beograd, të cila kritikuan deklaratën e tij pas sfidës të ndarë në barazim pa gola me Shqipërinë, luajtur të shtunën në stadiumin “Air Albania”.
Mediat serbe u kapën pas fjalëve të teknikut, i cili tha se atmosfera e tifozëve në Tiranë ishte e shkëlqyer dhe i kërkuan t’i shihte në sy lojtarët e tij dhe të tërhiqej nga ajo deklaratë e bërë pas ndeshjes.
Por, “Pixie” duket aspak i shqetësuar nga vala e kritikave. Në konferencën për shtyp para sfidës që Serbia do të luajë me Andorrën, Stojkoviç i është drejtuar kritikëve duke thënë se askush nuk mund t’ia vejë në dyshim dashurinë për Serbinë.
“Nuk kam pse t’i tregoj askujt sa patriot jam – nuk bëj tifozllëk për askënd, përveç për Serbinë. Dua t’i bëj këta djem heronj, dhe kështu do të jetë sa të kem frymë”, u shpreh ai.
Në vijim, selektori serb ripërsëriti se pritja në Tiranë dhe atmosfera ishte fenomenale, duke thënë se e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe në Beograd. Stojkoviç madje e krahasoi sfidën mes Shqipërisë dhe Serbisë në “Air Albania”, me sfidat mes rivalëve të betuar në Argjentinë, Boca Juniors dhe River Plate.
DEKLARATA E PLOTË:
“Mirë që ma bëtë këtë pyetje, sepse nuk i kam ndjekur mediat prej katër ditësh. Nuk e di kush çfarë shkruan. Unë jam përqendruar vetëm në detyrën time – që t’i përgatis këta djem në mënyrën më të mirë të mundshme.
Kur kam folur për atmosferën, kam folur vetëm në gjuhën e futbollit, për një ambient futbollistik. Ajo që ndodhi në fushë ishte për çdo respekt – një rivalitet i madh, një ndeshje me shumë rëndësi, dhe sjellja e të dy pankinave, si e jona ashtu edhe e tyre, ishte për t’u vlerësuar.
Natyrisht që gjithmonë i dënoj gjërat që s’kanë lidhje me futbollin. Askush nuk i do ndërprerjet dhe tensionet – por ne nuk kemi ndikim mbi ato gjëra. Ka institucione që merren me to. Ne nuk jemi ata që ndëshkojmë.
Ju nuk ishit në stadium, e patë në televizor. Disa kolegë tuajt mund ta konfirmojnë – çdo trajner do të donte një atmosferë të tillë. Për herë të parë, dhe kjo ishte ndeshja ime e 51-të si trajner, nuk e dëgjova himnin nga vërshëllimat. Imagjinoni çfarë shpërthimi zhurme dhe pakënaqësie ishte. Por ne e kënduam me krenari himnin tonë, dhe kjo na motivoi edhe më shumë që të mos dorëzoheshim ndaj presionit. Djemtë u sollën në mënyrë të shkëlqyer në fushë. Kjo për mua është një fitore e madhe.
A mendonte dikush seriozisht se do të na prisnin me duartrokitje? Sjellja e tyre është puna e tyre. Unë nuk jam politikan, nuk flas si politikan, jam shumë i kujdesshëm me fjalët e mia. Fola vetëm për atmosferën në stadium. Për sjelljen… ka kush merret me të.
Nuk kam pse t’i tregoj askujt sa patriot jam – nuk bëj tifozllëk për askënd, përveç për Serbinë. Dua t’i bëj këta djem heronj, dhe kështu do të jetë sa të kem frymë.
Sa i përket pjesës tjetër – organizimi ishte fenomenal. Besoj që edhe ne do t’u kthejmë një mikpritje të tillë. Le të konfirmojnë kolegët tuaj si ishte në Tiranë. Po të shihni një ndeshje si Boca Juniors – River Plate, do e kuptoni për çfarë atmosfere po flas. Ne nuk u frikësuam, dhe e treguam këtë në fushë.” (A2 Televizion)