Trajneri i ekipit serb të futbollit vazhdon të përballet me trysni të shtuar për reagimin e tij pas ndeshjes së të shtunës, kur vlerësoi atmosferën e krijuar nga tifozët. Dragan Stojkovic tha se nuk I kishte kuptuar fyerjet dhe se nuk i mbron ekstremistët, siç po pretendojnë mediat ne serbi.
Trajneri i ekipit serb po përballet me trysni të shtuar për shkak të reagimit të tij pas ndeshjes që përfundoi me barazim pa gola, mes Shqipërisë dhe Serbisë. DraganStojkovic, në një prononcim menjëherë pas ndeshjes, vlerësoi atmosferën ne stadiumin e Arenës Kombëtare duke përgëzuar tifozët shqiptarë për mbështetjen ndaj ekipit të tyre.
Por një deklaratë e tillë po i kushton shumë në serbe, ku po akuzohet për mbështetje të ekstremistëve e ku po i kërkohet llogari se përse nuk dënoi sulme dhe fyerje nga tribuna ndaj lojtarëve serbë.
"Si trajner i ekipit kombëtar serb, fokusi im gjatë ndeshjes ishte ekskluzivisht në fushë, te lojtarët, taktikat dhe rezultati. E vlerësova atmosferën në stadium në kontekstin e atmosferës sportive, tribunave plot dhe mbështetjes për ekipin kombëtar, gjë që është gjithmonë e mirëpritur për futbollin si lojë", tha Stojkoviç për Federatën Serbe të Futbollit.
Në një përpjekje për të zbutur stuhinë e kritikave ndaj tij ai shton më tej se në atë moment nuk i kishte kuptuar plotësisht mesazhet skandaloze dhe ofenduese, që siç tha erdhën nga tribuna.
“Dua të dënoj qartë dhe pa mëdyshje çdo brohoritje që fyen popullin serb dhe ekipin kombëtar serb, apo këdo tjetër. Fenomene të tilla nuk kanë vend në fushat sportive", shton Stojkoviç. (A2 Televizion)