Në konferencën për media para ndeshjes me Letoninë në Riga, mesfushori i kombëtares shqiptare Kristjan Asllani u shpreh se objektivi i vetëm është fitorja në këtë sfidë dhe vazhdimi i ëndrrës për kualifikim në Botëror.
“Po duhen rikarikuar bateritë sepse vijmë nga një ndeshje shumë pozitive nga aspekti I lojës, kemi luajtur shumë mirë. Na ka munguar vetëm goli por tani e dimë që kemi këtu ndeshje të vështirë sigurisht por na duhen 3 pikë për gjërat që kemi në mendje ne dhe për ëndrrën tonë”, u shpreh Asllani.
I pyetur nëse luajtja e çdo ndeshje me kombëtaren që kur në stol ka ardhur Sylvinho ndikon te performanca e tij si lojtar, Asllani tha se nuk po mendon për asnjë arritje personale, por është i fokusuar 100% te sfida e mbrëmjes së nesërme.
“Po që kur ka ardhur trajneri besoj se i kam luajtur të gjitha ndeshjet. Por tashmë ana ime duhet lënë mënjanë, duhet të mendojmë për skuadrën. Kemi një ndeshje shumë të vështirë. Kanë trajner italian, që unë e njoh shumë mirë si punojnë. Do jetë ndeshje taktike, ndeshje ku ata do mbrohen shumë mirë. Tani s’po mendoj për Kristjan Asllanin, por mendoj vetëm për ndeshjen. Kemi ardhur këtu për ta fituar këtë ndeshje”, deklaroi mesfushori. (A2 Televizion)