Emocionet për ndeshjen e parë në Euro2024, kundër Italisë kanë nisur. Kuqezinjtë po përgatiten maksimalisht dhe në skuadër mbizotëron atmosfera pozitive.
Në konferencën e zakonshme për shtyp, mesfushori Qazim Laçi u shpreh se të gjithë i dinë cilësitë e kundërshtarëve në grup, por kjo nuk i pengon për të dhënë maksimumin në fushë.
I pyetur për konkurrencën që ka në mesfushë, Laçi tha se detyra e tij është të japë më të mirën pavarësisht nëse e nis apo jo takimin që nga minuta e parë.
Mesfushori kuqezi bëri një koment dhe për rëndësinë që ka kjo ndeshje në vazhdimësi. Takimi me Italinë është i programuar, këtë të shtunë, në orën 21:00 në Dortmund.
“Është e vërtetë, kemi vazhduar shumë mirë, organizimi është shumë i mirë nga federata. Kemi punuar shumë mirë dhe vazhdojmë të punojmë për t’u bërë gati për ndeshjen me Italinë. Kush do të startojë e vendos trajneri. Si ata që do startojnë si ato që do luajnë 5 minuta duhet të bëjnë maksimumin.
Me Italinë do jetë një përballje shumë e vështirë. Që kur ka dalë shorti e kemi ditur që do jetë një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Lojtarët janë shumë të motivuar për këtë ndeshje. Duhet të luftojmë deri në fund për të marrë maksimumin e pikëve.
Sigurisht ndeshja e parë është më e vështira për të gjitha ekipet. Kemi ardhur deri këtu me shumë meritë. Kemi punuar shumë në stërvitje dhe do mundohemi që ta përkthejmë në fushën e lojës.
Të gjithë jemi të barabartë. Kombëtarja ka marrë më të mirët e momentit. Jemi të gjithë njëlloj në secilin repart. Secili fokusohet që të japi maksimumin që Kombëtarja të arrijë sa më lart.
Kundërshtarët që kemi janë shumë të fortë dhe kanë shumë cilësi. Sipas meje, duhet të studiojmë çdo ndeshje dhe çdo lojtar, secili ka diferencat dhe karakteristikat e veta. Duhet t’i marrim ndeshje pas ndeshje dhe të shikojmë.
Të gjithë lojtarët janë gati. Shyqyr s’kemi pasur dëmtime. Të gjithë mezi po presim që të fillojë Europiani. Ndeshja e parë do të jetë pak stresuese për ne, por do jemi të motivuar dhe kjo do jetë gjëja pozitive.
Veteranët nuk është se na kanë thënë gjëra specifike. Lojtarët me aq eksperiencë na ndihmojnë të përmirësohemi, që të mund të përballemi me Italinë ose me kundërshtarët e radhës.
Në kualifikuese ne kemi dhënë imazh shumë të mirë. E mbaruam në vend të parë dhe e merituam 100%. Në Europian do rrimë me këmbë në tokë. Kemi kundërshtar shumë të fortë, por ne do ta shijojmë dhe do të japim maksimumin sepse e dimë vlerën e fanellës që po veshim”, tha Laçi. (A2 Televizion)