Akuza e rëndë: Futbollistët e Premier League trukojnë ndeshjet!

Nga A2 CNN
27 Gusht 2025, 13:47 | Futboll

Akuza e rëndë: Futbollistët e Premier League trukojnë

Ish-kreu i njësisë suedeze për hetimin e krimit të organizuar në sport, Fredrik Gardare, ka hedhur akuza të forta, duke pretenduar se lojtarë të Premier League janë përfshirë në trukime ndeshjesh, shkruan A2 CNN. Sipas tij, prova të rëndësishme të zbuluara gjatë një bastisjeje në një kazino ilegale janë injoruar nga autoritetet.

Gardare, i cili më parë kishte hetuar rastin e mesfushorit të dikurshëm të Manchester City, Dickson Etuhu, të dënuar për tentativë trukimi ndeshjesh në Suedi, tregon se hetimi i tij i fundit çoi në sekuestrimin e disa telefonave në fund të vitit 2021. Në njërin prej tyre, sipas tij, gjendej material i qartë që tregonte komunikime në Telegram mes lojtarëve dhe një grupi kriminal për trukimin e ndeshjeve në ligat europiane, përfshirë edhe Ligën e Kombeve.

Akuza e rëndë: Futbollistët e Premier League trukojnë
Fredrik Gardare (majtas) me Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Suedeze të Futbollit, Hakan Sjöstrand.

“Ky ishte rasti më i qartë që kam parë ndonjëherë”, tha Gardare për Daily Mail Sport. “Provat ishin aty. Megjithatë, policia vendosi ta mbyllë çështjen në dhjetor të atij viti, pa e çuar më tej hetimin”.

Ai shton se informacioni iu përcoll edhe Federatës Suedeze të Futbollit, por nuk dihet nëse Federata Angleze është njoftuar. Gardare kërkon që policia ose Federata Suedeze të veprojnë, duke theksuar se telefoni i sekuestruar ende ndodhet në duart e autoriteteve.

Nga ana e saj, Federata Suedeze e Futbollit ka konfirmuar se ka marrë informacione të përgjithshme nga policia në vitin 2021, por pa detaje të mjaftueshme për të ndërmarrë hapa konkretë, për shkak të sekretit hetimor. Ndërkohë, Federata Angleze dhe Premier League ende nuk kanë dhënë komente lidhur me këtë çështje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos