U përfol ditët e fundit se Sylvinho e kishte kontaktuar personalisht dhe e kishte bindur që t’i bashkohej Kombëtares Shqiptare të futbollit, por Leon Avdullahu duket se e ka pasur të qartë zgjedhjen finale.
Mesfushori i talentuar i Hoffenheim e ka marrë mbrëmjen e djeshme një nga vendimet më të rëndësishme për karrierën e tij, duke zgjedhur që të përfaqësojë Kombëtaren e Kosovës.
Kështu, 21-vjeçari i rritur në akademinë e Bazelit, e që ka përfaqësuar Zvicrën në kombëtaret e moshave ka zgjedhur të refuzojë përfundimisht kombëtaren helvete.
Vendimin e Avdullahut e ka konfirmuar presidenti i FFK-së Agim Ademi.
“Pritjes i erdhi fundi, Leoni është i Kosovës. Ndjej kënaqësi të ndaj me ju lajmin e madh se Leon Avdullahu, i udhëhequr nga zemra e tij, ka vendosur që të luaj për Kombëtaren e Kosovës. Leoni më njoftoi sonte për vendimin e madh, që pason takimin që kishim pak kohë më parë kur edhe i kishim diskutuar të gjitha gjërat. Leoni me këtë vendim dëshmoi edhe një herë fuqishëm që Kosova mbetet zgjedhje zemre dhe se identiteti e prejardhja nuk mohohen. Mirë se vjen Leon, le të nisim së bashku një rrugë të gjatë e të suksesshme për ekipin kombëtar të Kosovës dhe për Ty”, ka shkruar Ademi në rrjetet sociale.
Avdullahu në mesfushë do të jetë një armë shtesë për kombëtaren Dardane, duke marrë parasysh një sulm të frikshëm me elementë si Edon Zhegrova, Fisnik Asllani dhe Albion Rrahmani, që po shkëlqen me 3 gola te Sparta e Pragës në këtë fillim sezoni.
Avdullahu ka luajtur nga fillimet e tij te Bazeli, ndërsa këtë verë u shit për 8 milionë euro në Bundesliga, te Hoffenheim. Në ndeshjen e tij debutuese ylli kosovar dhuroi një paraqitje briliante ndaj Bayer Leverkusen, ndërsa vlera e tij në Transfermakt është rritur në 10 milionë euro. (A2 Televizion)