Nga një 5-0 në tjetrin, një paralele që duket sikur është vendosur aty qëllimisht, për të simbolizuar një fillim të ri për Interin. Ndeshja në San Siro kundër Torinos ishte një debutim ëndrrash në Serie A për Cristian Chivu-n, i cili zgjodhi të rifillonte nga themelet e formacionit 3-5-2 dhe nga ato siguri që finalja e Mynihut dhe në një farë mase Kupa e Botës për Klube dukej se i kishin dëmtuar.
Asnjë nga këto, përkundrazi. Ekipi u rikthye me atë qëndrim ultra-agresiv dhe dëshirë për të dominuar ndeshjen që kishte karakterizuar disa nga netët më të mira të epokës së Inzaghit, me lojtarë dhe lëvizje të testuara mirë që bënin pjesën tjetër.
Dyshja e sulmit Thu-La dëshmoi të ishte e besueshme për ekipin, mbrojtja nuk tregoi shenja dobësie dhe e vetmja shtesë e re në formacionin titullar, Suçiç, dukej plotësisht i qetë edhe para turmës së Meazzës, duke shfaqur personalitet dhe cilësi dhe madje duke regjistruar asistin e tij të parë.
Tabloja u kompletua nga goli i parë i Bonny-t për Zikaltërit, vetëm pak minuta pasi hyri në fushë dhe Thuram që e brohoriste.
Prandaj është e vështirë, nëse jo e pamundur, të gjesh ndonjë notë mospërputhjeje në këtë debutim sezonal për Interin, i cili me fitoren me pesë gola ndaj “Granatave” jo vetëm që e bindi veten për potencialin e tij, nëse kishte ndonjëherë nevojë, por gjithashtu i dërgoi një mesazh të qartë rivalëve të tij për titull, Napolit.
Duket se në vijim detyra e Chivu-së do të jetë t'i mbajë gjërat të qëndrueshme dhe të ruajë të njëjtën energji edhe kundër kundërshtarëve më të fortë, si Juventusi për shembull, por edhe kur intensiteti i ndeshjeve të rritet. (A2 Televizion)