Në futbollin e moshave, kartoni i zi nuk do t’u drejtohet futbollistëve, por… prindërve dhe tifozëve në tribuna.
Federata Rumune e Futbollit ka prezantuar një masë të re për kategoritë nga U7 deri në U16, me synimin për të ndaluar sjelljet fyese, agresive apo presionin e tepruar të të rriturve gjatë ndeshjeve të fëmijëve.
Procedura nis me një paralajmërim. Arbitri ndërpret përkohësisht ndeshjen dhe u kërkon trajnerëve të qetësojnë prindërit dhe tifozët.
Nëse situata vazhdon, ndeshja pezullohet për 10 minuta dhe skuadrat largohen nga fusha.
Por nëse edhe pas rikthimit sjellja abuzive nuk ndalet, vjen momenti i fundit: arbitri nxjerr kartonin e zi dhe ndeshja ndërpritet përfundimisht.
Një risi e pazakontë, por me një mesazh të qartë: futbolli i fëmijëve duhet të jetë hapësirë për argëtim, zhvillim dhe respekt, jo për presionin apo frustrimet e të rriturve. (A2 Televizion)