
Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ka njoftuar tërheqjen nga përfaqësuesja e Kosovës, duke lëshuar akuza ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës dhe drejtimit aktual të saj.
Në një postim në rrjetet sociale, Rrahmani thotë se pas 10 vitesh në përfaqësuese, 7 prej të cilave si kapiten, nuk do të jetë më pjesë e përfaqësueses për sa kohë që FFK-ja drejtohet nga personat aktualë.
Ai shprehet se vendimi vjen pas problemeve të vazhdueshme, mungesës së njerëzve kompetentë për të adresuar shqetësimet e lojtarëve dhe mungesës së përmirësimeve gjatë viteve.
POSTIMI
Pas 10 viteve në Kombëtare nga të cilat 7 vite si kapiten ju njoftoj se nuk do të jem më pjesë e Kombëtares së Kosovës përderisa FFK-në e udhëheqin personat aktual.
Për shkak të shumë faktorëve, kundërshtimeve të vazhdueshme dhe mungesës së njerëzve kompetentë për të adresuar problemet dhe ankesat tona, situata ka mbetur pa përmirësime për shumë vite.
Dhe çka mora në këmbim? Sulme të vazhdueshme dhe të koordinuara për më shumë se dy vite nga ata të cilët do të duhej të na mbronin.
Drejtësia do t’a vërtetojë një ditë.
KY VENDIM VJEN NGA NEVOJA PËR TË RUAJTUR INTEGRITETIN TIM SI KAPITEN DHE FUTBOLLIST PROFESIONIST, POR MBI TË GJITHA VLERAT E MIA SI NJERI.
I juaji
Amir Rrahmani

(A2 Televizion)