
Të premten do të zbulohet lista e parë e Rolando Maranit për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Trajneri italian po përgatit grumbullimin e parë zyrtar që prej marrjes së drejtimit të Kombëtares shqiptare, ndërsa vëmendja tashmë është e gjitha te zgjedhjet e tij për sfidat e shtatorit.
Maran ka zhvilluar një tur në Europë, duke ndjekur nga afër futbollistët shqiptarë që aktivizohen në kampionate të ndryshme. Synimi ka qenë që trajneri të krijojë një panoramë sa më të plotë për lojtarët në dispozicion dhe të përcaktojë grupin me të cilin do të nisë aventurën në Ligën e Kombeve.
Shqipëria është pjesë e Grupit C1, së bashku me Bjellorusinë, Finlandën dhe San Marinon. Sfida e parë do të jetë më 26 shtator, në Arenën kombëtare ndaj Bjellorusisë, në orën 20:45.
Vetëm tri ditë më vonë, kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt San Marinos, ku më 29 shtator, në orën 20:45, do të përballen me ekipin vendas. Pra, Marani do të ketë menjëherë një kalendar të ngjeshur, me dy ndeshje brenda pak ditësh.
Dy përballjet e para do të jenë një test i rëndësishëm për trajnerin italian, i cili do të kërkojë ta nisë me rezultate pozitive këtë kapitull të ri. Shqipëria synon të jetë konkurruese në grup dhe të luftojë për vendin e parë, ndërsa për Maranin këto sfida do të jenë edhe mundësia e parë për të parë në fushë idetë e tij me grupin e plotë.
Pas Bjellorusisë dhe San Marinos, kuqezinjtë do të përballen me Finlandën më 3 tetor, ndërsa më 6 tetor do të luajnë sërish në shtëpi ndaj San Marinos. Fushata e Ligës së Kombeve do të mbyllet në nëntor me dy sfidat ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë. (A2 Televizion)