
Në konferencën për mediat e mbajtur pas kthimit nga SHBA, Sali Berisha është ndalur te qëndrimet e administratës së presidentit amerikan Donald Trump ndaj karteleve të drogës dhe trafikut. Berisha tha se bëhet fjalë për një seri aktesh të administratës Trump, përmes të cilave, sipas tij, kartelet e drogës dhe rrjetet e trafikut konsiderohen si rrezik madhor për kombin amerikan.
“Janë një seri aktesh madhore të administratës së presidentit Donald Trump, ku vihet gishti mbi kartelet e drogës, trafiqet si rrezik madhor për kombin amerikan”, deklaroi Berisha.
Ai iu referua edhe mesazhit të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për shqiptarët në Ditën e Pavarësisë, duke theksuar rëndësinë që i është dhënë luftës kundër karteleve të drogës dhe bashkëpunëtorëve të tyre.
“Për herë të parë në historinë, mesazhin që Sekretari i Shtetit, Marco Rubio u dërgon shqiptarëve për Ditën e Pavarësisë, thotë se partneriteti për luftën ndaj karteleve të drogës dhe bashkëpunëtorëve të tyre që përbëjnë një rrezik për sigurinë e qytetarëve amerikanë, është i një rëndësie jetike për ne”, tha ai.
Berisha shtoi se përtej deklaratës së Rubio-s, edhe Kongresi amerikan, në përputhje me direktivën e presidentit Trump, ka vendosur në fokus çështjen e rreziqeve që lidhen me kartelet dhe trafikun e drogës. (A2 Televizion)