Critiano Ronaldo, Neymar apo Benzema nuk mjaftojnë. As Roberto Mancini në krye të stolit të përfaqësueses. Arabia Saudite ka vendosur të bastisë futbollin europian, duke i marrë të tjerë emra të njohur.
Shteti më i madh në Lindjen e Mesme fitoi të drejtën e organizimit të Botërorit 2034. Edhe pse mungojnë më tepër se 10 vjet nga zhvillimi i eventit, futbolli cilësohet si kartëvizita e arabëve për botën. Kjo është arsyeja përse ka nisur ofensiva për të vijuar afrimin e yjeve të sportit më popullor, në fushë, por edhe në stol.
Sipas mediave italiane, në shënjestër janë dy trajnerët e Romës dhe Lazio: Jose Mourinho dhe Maurizio Sarri. Portugezi ka deklaruar se një ditë do të shkojë edhe ai në Arabi, por pa caktuar një afat të qartë. Në anën tjetër, edhe Sarri e ka pranuar se ky mund të jetë sezoni i fundit në stolin e Lazio.
Te skuadrat e Serie A, interes ka pasur edhe për Immobile e Dybala, e ndoshta edhe Lukaku. Modaliteti që do të përdorin sauditët pritet të mos ndryshojë: ofertë paraprake dhe në rast refuzimi, një tjetër ofertë e parezistueshme në aspektin financiar.
Nga ata që mund të tundohen nga mali me dollarë janë edhe Pulisic dhe Rabiot. Arabia Saudite kërkon me ngulm të bëhet një kampionat i nivelit më të lartë. Me kapacitetet financiare që zotërojnë dhe nëse vazhdojnë me këto ritme, me siguri që do t’ia dalin. (A2 Televizion)
Arabia nuk ndalet, synohen Mourinho, Sarri, Immobile e Dybala
