Ndeshje shumë e bukur dhe e fortë në letër është dhe ajo në Mynih ku Bayern pret Arsenalin. Topçinjtë kërkojnë të dyja trofetë këtë sezon dhe lufta vijon si për titullin kampion ashtu dhe Champions League.
Ndonëse përballë ka Bayern-in, kjo nuk i tremb aspak anglezët që kanë fituar vetëm 3 herë përballë tyre janë mundur 7 herë. Megjithatë, kur vjen puna te një ndeshje Champions, histori mund të ndryshojë nga statistikat. Në dyshim te gjermanët janë Coman, Neuer dhe Pavlović, ndërsa Topçinjtë bëjnë llogaritë pa Timber.
Sipas trajnerit të bavarezëve, Tomas Tuchel, sezoni nuk mund të quhet i humbur. “Nuk ka përfunduar ende. Deri më tani, në Champions kemi luajtur në një nivel të lartë. E kemi arritur objektivin tonë minimal, pasi shumë skuadra të mëdha nuk kanë mundur dot të vijnë në këtë fazë. Tani na duhet dy paraqitje të mëdha për të arritur në gjysmëfinale. Arsenal është një nga skuadrat më në formë në Evropë. Ata po dominojnë çdo ndeshje në kampionatin më të fortë në botë, kjo është një shenjë e kualitetit të tyre, por gjithashtu ne e njohim forcën tonë”, tha gjermani para ndeshjes.
Ndërsa trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, tha se çerekfinalja ishte objektivi minimal për skuadrën e tij këtë sezon në Europë. “Po e shijojmë me të vërtetë këtë moment, pasi jemi këtu dëshironim të ishim. Jemi në një pozicion të mirë në Premier League dhe në Champions. Përpara tani kemi një nga skuadrat më fituese në Evropë. Kjo është pengesa që duhet të kalojmë, mezi po e presim këtë sfidë. Bayern është një skuadër e shkëlqyer”.
Spanjolli lavdëroi trajnerin kundërshtar, i cili largohet nga Bayern në fund të sezonit. “Jam një admirues i madh i Thomas Tuchel, për mënyrën se si organizohen ekipet e tij, kam mësuar shumë prej tij. Bayern është një skuadër top, por ne jemi përgatitur mirë, do të përpiqemi ta dërgojmë ndeshjen aty ku dëshirojmë, nëse e bëjmë këtë mund të fitojmë”, tha ai. (A2 Televizion)