Asllani i vendosur: Objektiv Botërori, Manajt i kërkova falje

Nga A2 CNN
9 Shtator 2024, 18:46 | Futboll

Kristjan Asllani është një nga futbollistët më në formë te Kombëtarja Shqiptare dhe këtë e tregoi edhe në fitoren ndaj Ukrainës ditën e shtunë.

Mesfushori i Interit doli në konferencën për shtyp para ndeshjes së të martës me Gjeorgjinë së bashku me trajnerin Sylvinho, duke thënë se me ndihmën edhe të tifozëve, kombëtarja do të vazhdojë ecurinë pozitive edhe me Gjeorgjinë, shkruan A2 CNN.

“Ata vijnë pas një fitoreje të thellë ndaj Çekisë, por ne do t’i respektojmë dhe aty do të kemi një stadium të mbushur plotë dhe i falënderojmë tifozët.  Jemi shumë mesfushorë, por të gjithë e dimë punën që duhet të bëjmë në fushë. Unë gjendem mirë me të gjithë dhe synimi është vetëm të bëjmë pikë”, tha Asllani.

Sa i përket veprimit me Manajn në ndeshjen ndaj Ukrainës, Asllani tha se i ka kërkuar falje sulmuesit.

“Unë dhe Rei jemi shumë shokë. Kemi bërë shumë shaka për atë moment. I kërkova falje se të gjithë bëjnë gabime”, tha Asllani.

I pyetur nga gazetari i A2 CNN, Erald Kodheli, nëse kombëtarja synon Botërorin nga ndeshjet e Ligës së Kombeve, Asllani u shpreh se objektivi ky është, por mendon vetëm për ndeshjen e radhës.

“Objektivi është Botërori. Ne kemi një grup shumë të fortë. Me Ukrainën, Gjeorgjinë që po rritet, por edhe Çekia me të cilën kemi luajtur dhe është një skuadër e fortë. Objektivi ynë është Botërori, por ne jemi të fokusuar te ndeshja e radhës”, tha Asllani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos