Bayern “i jep leksion” Tottenham, i shënon katër gola

Nga A2 CNN
8 Gusht 2025, 12:46 | Futboll

Bayern “i jep leksion” Tottenham, i shënon katër gola

Bayerni dha një sinjal të qartë para fillimit të sezonit të ri, teksa shkatërroi me rezultatin 4-0 Tottenhamin në miqësoren e zhvilluar në “Allianz Arena”. Tifozët bavarez kishin mbushur shkallët e stadiumit dhe skuadra nuk zhgënjeu me paraqitjen e saj.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 12-të me Harry Kane që ndëshkoi ish-skuadrën e tij. Ky ishte vetëm fillimi i spektaklit bavarez. Skuadra e Vincent Kompany fitoi një penallti pas një faulli ndaj Stanisic, por Kane këtë herë ishte i pafat, duke rrëshqitur dhe dërguar topin mbi traversë, shkruan A2 CNN.

Kaq mjaftoi për në pjesën e parë. Edhe në të dytën, bavarezët vazhduan dominimin. Në minutën e 60-të, këtë herë ishte Coman që shënoi një gol të bukur dhe dyfishoi shifrat.

Në fund, skenën e morën lojtarët e rinj që lanë firmën e tyre në këtë sfidë. 17-vjeçari Karl shënoi një gol të bukur, dhe gjashtë minuta më vonë edhe një tjetër talent, Jonah Kusi-Asare, realizoi një supergol dhe vulosi fitoren 4-0 të bavarezëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos