Tre mungesa të mëdha për duelet vendimtare në Nations League. Kombëtarja ka humbur shërbimet e kapitenit Berat Gjimshiti, mbrojtësit tjetër Marash Kumbulla dhe mesfushorit Keidi Bare.
Stafi i kuqezinjve konfirmoi se të tre këta futbollistë nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Sylvinho për ndeshjet e 16 nëntorit kundër Republikës Çeke dhe ndaj Ukrainës në datën 19 nëntor. Dëmtimet e pësuara e kanë bërë të pamundur që Gjimshiti, Kumbulla e Bare të japin kontributin për Kombëtaren, shkruan A2.
Për kapitenin 31-vjeçar vijon fati i keq i këtij fillimi të sezonit. Kjo për faktin se Gjimshiti nuk do të luajë për herë të tretë me radhë, pas dëmtimit në kaviljen e djathtë në Serie A me Atalantën. Prej pjesëmarrjes në Euro 2024, ai ka munguar në të gjitha ndeshjet e këtij edicioni në Nations League.
Për t’u vlerësuar mbetet gjendja e sulmuesit Rey Manaj, që do t’i nënshtrohet kontrolleve të specializuara për të kuptuar nëse do të jetë pjesë e skuadrës.
Ndërkohë, për stërvitjen e parë, Sylvinho grumbulloi disa lojtarë nga ekipi Shpresa dhe nga kampionati. Kjo sepse nga 28 lojtarë të grumbulluar, të pranishëm në fushë ishin vetëm 13 futbollistë, ndërsa disa të tjerë punuan në palestër. (A2 Televizion)