Asllani iu përgjigjet kritikave me gol, mban Interin në garë për titullin

Nga A2 CNN
3 Maj 2025, 23:51 | Futboll

Asllani iu përgjigjet kritikave me gol, mban Interin në garë

Inter ndjek hap pas hapi Napolin në krye të Serie A dhe këtë e bën me një fitore me rezultatin e ngushtë 1-0 ndaj Hellas Veronës, falë një penalltie të kthyer në gol nga Kristjan Asllani në minutat e para të ndeshjes.

Kjo ishte fitorja e tetë radhazi në shtëpi ndaj Veronës për zikaltrit, që ruajnë ecurinë pozitive në përballjet direkte në "San Siro".

Pas fitores së Napolit më herët gjatë ditës që i çoi ata gjashtë pikë përpara, Interi duhej të jepte një përgjigje pozitive. Dhe ashtu ndodhi, kur pas një ndërhyrjeje të VAR-it, Valentini u ndëshkua për një prekje me dorë në zonë. Asllani mori përgjegjësinë për të goditur 11-metërshin dhe e dërgoi topin në rrjetë për golin e tij të parë këtë sezon në kampionat.

Pas golit, Interi vazhdoi të ushtrojë presion, me Zalewskin që provoi nga distanca, por u ndal nga portieri Montipò. Verona gradualisht hyri në lojë dhe nuk lejoi shumë raste të rrezikshme nga vendasit, me Arnautović që humbi dy raste me kokë.

Në pjesën e dytë, Inter dominoi në zotërimin e topit, por mungesa e Lautaros dhe qëndrimi i Thuramit në stol ndikuan në efikasitetin sulmues. Verona kërkoi të përfitonte në minutat e fundit, por pa sukses.

Zikaltrit ruajnë rekordin prej 35 ndeshjesh pa humbje në shtëpi ndaj Veronës, ndërsa këta të fundit kërkojnë të rikthehen te fitorja ndaj Lecces javën e ardhshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos