Për shkak të interesit të jashtëzakonshëm për ndeshjen Shqipëri – Serbi, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026, Federata e Futbollit njofton se do të ndjekë një procedurë të posaçme për shitjen e biletave, me qëllim menaxhimin sa më efikas të kërkesës së lartë nga tifozët shqiptarë.
Duke qenë se kërkesat pritet të tejkalojnë kapacitetin e stadiumit, FSHF bën me dije se nuk do të ketë shitje të menjëhershme të biletave, por do të ndiqet procedura e mëposhtme:
– Tifozët do të kenë mundësinë të plotësojnë një formular aplikimi elektronik, për të shprehur interesin e tyre për të siguruar bileta. Ky formular do të publikohet nga FSHF më 15 maj 2025.
– Çdo aplikant mund të kërkojë deri në 4 bileta.
– Pas përfundimit të afatit të aplikimeve, do të kryhet një përzgjedhje e rastësishme dhe automatike përmes shortit kompjuterik të aplikantëve, të cilët do të kenë më pas mundësinë për të blerë biletat.
– Të përzgjedhurit do të njoftohen disa ditë para ndeshjes nëpërmjet adresës së tyre elektronike.
– Pas njoftimit, ata do të marrin një link unik për të kryer pagesën online, në periudhën 30 maj – 2 qershor 2025.
– Pas konfirmimit të pagesës, biletat elektronike do të dërgohen në adresën e regjistruar të emailit.
FSHF thekson se bileta mund të transferohet vetëm një herë. Çdo transferim i mëtejshëm do ta bëjë biletën të pavlefshme. (A2 Televizion)