Champions League/ Arsenal fiton me Bayern dhe merr kreun, Atletico mund Interin

Nga A2 CNN
27 Nëntor 2025, 17:45 | Futboll

Champions League/ Arsenal fiton me Bayern dhe merr kreun, Atletico mund Interin

Magjike ishte dhe mbrëmja e së mërkurës në Champions League. Arsenal mundi 3-1 Bayernin i ndihmuar dhe nga gabimet fatale të portjerit Neuer.

Rezultati u zhbllokua që në minutën e 22 me Timber. Megjithatë, edhe përgjigja e bavarezëve erdhi shpejt, kur talenti Karl vendosi barazpeshën.

Në pjesën e dytë, “Topçinjtë” shtuan dhe më shume presionin dhe Madueke riktheu avantazhin. Pas tij, për të vulosur sfidën mendoi Martinelli që mbylli takimin me rezultatin final 3-1. Pas këtij suksesi, Arsenal mbetet skuadra e vetme e pamposhtur në Champions League me 15 pikë të plota në 5 ndeshje ndërsa për Bayern, kjo është humbja e parë dhe mbetet me 12 pikë. 

Inter duket se ende nuk e ka marrë veten nga humbja në derbi teksa u mund dhe nga Atletico Madrid vetëm në minutën e fundit të shtesës. Fillimi ishte i mirë për madrilenët që shënojnë me Alvarez një gol mes shumë polemikash. Megjithatë, zikaltërit gjetën barazimin në pjesën e dytë, kur Zielinski rihapi llogaritë.

Kur të gjithë mendonin se ndeshja kishte përfunduar, në minutën e 93, një goditje e Gimenez me kokë i dha fitoren Atleticos dhe humbjen e parë Interit në Champions League. Ekipi i Chivu mbetet me 12 pikë në vendin e katërt, ndërsa Atletico ngjitet në 9. 

Fitore të vështirë regjistroi Real Madrid që mposhti 3-4 Olimpiakos. Ylli i ndeshjes ishte padyshim Kylian Mbappe, që realizoi 4 herë në portën e grekëve dhe i siguroi fitoren spanjollëve. 

Befasi ishte Liverpool që u turpërua duke u mundur 1-4 nga PSV Eindhoven në Anfield. Një humbje që mund të lërë pasoja te “The Reds”, pasi tani stoli i Arne Slot është më i lëkundur se kurrë.

Atalanta bëri detyrën ndaj Frankfurt pasi e mposhti 0-3. Sa i përket mbrojtësit të kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, ai luajti për 74 minuta duke bërë një paraqitje mjaft pozitive.

Përmbysje spektakolare bëri Paris Saint Germain që mundi 5-3 Tottenham.

Në takimet e tjera, Sporting fitoi 3-0 me belgët e Club Brugge ndërsa takimi mes Slavia Pragës dhe Atletik Bilbaos u mbyll në barazim pa gola.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos