Një klub me zemër floriri. Kështu mund të cilësohet Chelsea, me Blutë e Londrës që kanë vendosur të dhurojnë një pjesë të bonusit të fituar nga Kupa e Botës për Klube për familjarët e Diogo Jotës dhe vëllait të tij André Silva, të cilët vdiqën në një aksident tragjik me makinë në Spanjë në fillim të korrikut.
Sipas The Athletic, lojtarët e klubit anglez kanë vendosur të dhurojnë një pjesë të parave që morën për fitimin e Kupës për familjet e dy lojtarëve portugezë.
Fitorja në Kupën e Botës i siguroi Chelseat afërsisht 100 milionë euro. Nga këto, 14 milionë euro shkuan për lojtarët, ose 430,000 euro për lojtar. Vetë lojtarët do të dhurojnë një shumë të ngjashme për familjet e dy lojtarëve portugezë që vdiqën tragjikisht më 3 korrik në Zamora.
Premier League do t'u bëjë homazhe dy lojtarëve gjatë ndeshjes hapëse të sezonit, e cila fillon nesër me një minutë heshtje që do të mbahet në të gjitha fushat, ndërsa Liverpool do të zbulojë një mozaik në kujtim të tyre gjatë ndeshjes së nesërme kundër Bournemouth.
Të Kuqtë e kanë tërhequr numrin 20 të Jotës për herë të parë në historinë e tyre nga ekipi i parë, ekipet e të rinjve dhe ekipi i femrave. (A2 Televizion)