Nga ky sezon i ri, ndeshjet e Bundesligës do të zgjasin më shumë, pasi Gjermania i është bashkuar iniciativës ndërkombëtare për të llogaritur më saktë kohën shtesë gjatë një ndeshjeje. Kjo nismë është ndjekur më parë nga Kampionati Botëror 2022 dhe Premier Liga, dhe tani edhe liga më e lartë gjermane i bashkohet këtij standardi të ri.
Sipas ndryshimeve të reja, gjyqtarët do të përllogarisin me saktësi minutat e humbura gjatë ndeshjeve për shkak të kartonëve të kuq, penalltive, lëndimeve apo ndërprerjeve të tjera. Kjo kohë do t’i shtohet fundit të secilës pjesë të lojës, duke rritur kohën e përgjithshme të lojës aktive.
“Aktualisht kemi pak më pak se 60 minuta kohë neto lojë, që me shumë gjasa do të rritet paksa,” tha Knut Kircher, drejtor menaxhues për sportin dhe komunikimin në organin gjerman të arbitrave.
Ndryshimi është zbatuar tashmë në ligat e dyta dhe të treta të futbollit gjerman dhe do të aplikohet edhe në Bundesligë duke nisur nga data 22 gusht, kur nis sezoni i ri 2025/26. (A2 Televizion)