Pas përfundimit të huazimit te Besiktas në Turqi, Kristjan Asllani është rikthyer në Milano, aty ku do të nisë fazën përgatitore me Interin. Mesfushori i Kombëtares shqiptare mbetet pjesë e klubit zikaltër, por e ardhmja e tij vazhdon të jetë e paqartë, pasi drejtuesit zikaltër nuk e kanë në planet e tyre dhe po shqyrtojnë mundësitë për një transferim të ri.
Sipas raportimeve nga Italia, Interi nuk ka ndërmend ta lërë të largohet pa një ofertë të favorshme financiare. Klubi synon të mbrojë investimin e bërë për 23-vjeçarin dhe preferon një marrëveshje që garanton fitim ose një detyrim blerjeje në fund të huazimit.
Ndërkohë, në orët e fundit kanë qarkulluar zëra për interesim nga Hull City, lajmin e ka dhene gazetari italian Nicolo Schira, ndonëse detaje të tjera nuk bëhen të ditura.. Për momentin, Kristjan Asllani mbetet lojtar i Interit, ndërsa vendimi përfundimtar për të ardhmen e tij pritet të merret gjatë javëve të fundit të merkatos së verës. (A2 Televizion)