Pasi u zyrtarizua si futbollisti më i ri i Genoas, Mario Mitaj ka nisur menjëherë përgatitjet me skuadrën e re. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare u transferua te skuadra italiane në formën e huazimit me të drejtë blerjeje, ndërsa konsiderohet një nga afrimet më të rëndësishme të merkatos së verës për klubin e Daniele De Rossit. Madje, edhe vetë tekniku italian nuk i ka kursyer elozhet për 23-vjeçarin shqiptar.
"Ai ka cilësi të shkëlqyera, ofron shumë zgjidhje, e nxjerr ekipin mirë përpara me top dhe di si të shtyjë.
Edhe fizikisht, pavarësisht se nuk ka një fizik imponues, ai është i shpejtë, e mban topin, luan me cilësi dhe del përpara. Është shumë i ngjashëm me Martin ose Angeliñon, ata mbrojtës krahu që nuk janë gjigantë, por dinë ku ta çojnë topin.
Për sa i përket cilësisë dhe prekjes së topit, ai do të na rrisë nivelin dhe kam ndjesinë se mund të luajë edhe në pozicione të tjera në fushë. Tani, le të shohim sa kohë kemi."
Besimi i trajnerit pritet t'i japë Mitajt një rol të rëndësishëm në projektin e ri të Genoas. Për mbrojtësin shqiptar, ky është një tjetër hap i rëndësishëm në karrierë. Pas paraqitjeve të mira me Kombëtaren dhe eksperiencave në Greqi, Rusi dhe Arabinë Saudite, mbrojtësi shqiptar rikthehet në një nga kampionatet më të forta të Europës, me synimin për t'u konfirmuar si një nga emrat më të rëndësishëm të futbollit europian. (A2 Televizion)