Dështimi i Wirtz në Premier League “fut në sherr” Gjermaninë me Liverpool-in

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2025, 13:01 | Futboll

Dështimi i Wirtz në Premier League “fut në sherr”

Trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, ka dalë publikisht në mbrojtje të Florian Wirtz, i cili po kalon një periudhë të vështirë që nga transferimi i tij te Liverpool-i këtë verë. Mesfushori 22-vjeçar u bashkua me “The Reds” për 116 milionë paund, por ende nuk ka arritur të lërë gjurmë në Premier League, pasi nuk ka mundur të shënojë asnjë gol dhe të japë asnjë asist në 11 ndeshjet e para.

Pas humbjes 3-0 ndaj Manchester City, Wirtz u kritikua ashpër, sidomos nga Gary Neville, i cili e quajti paraqitjen e tij “shqetësuese”. Por Nagelsmann, në konferencën para ndeshjeve kualifikuese të Kupës së Botës ndaj Luksemburgut dhe Sllovakisë, theksoi se situata te Liverpool-i nuk po e ndihmon talentin gjerman.

“E vërteta është se klubi nuk është aq stabël sa sezonin e kaluar. Për një lojtar të ri është më e vështirë të futet në një ekip që nuk po funksionon si duhet”, u shpreh Nagelsmann, duke lënë të kuptohet se edhe trajneri Arne Slot mban përgjegjësi për ecurinë e dobët.

Ai shtoi se Wirtz po krijon raste, por shokët e skuadrës, nuk po i shfrytëzojnë. “Ndoshta Liverpool duhet ta ndihmojë duke shënuar disa prej rasteve që ai krijon. Ai ka nevojë për kohë, është normale për lojtarët e rinj”, shtoi gjermani.

Në krah të Nagelsmann doli edhe babai i Wirtz, i cili deklaroi se familja e kishte parashikuar këtë fazë adaptimi. “Shpejtësia dhe intensiteti i Premier League janë të jashtëzakonshme. Florian e dinte që duhej kohë”, deklaroi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos