Prokuroria urdhëron rifillimin e numërimit të votave në Mitrovicën e Jugut

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2025, 14:26 | Politikë

Prokuroria urdhëron rifillimin e numërimit të votave në

Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se ka urdhëruar Komisionin Komunal Zgjedhor që të rifillojë procesin e numërimit të fletë votimeve në Qendrën Komunale në komunën e Mitrovicës së Jugut.

Kjo pasi kompania CETIS mbi printimin e fletëvotimeve për zgjedhjet komunale në Kosovë, përmes një njoftimi ka shpjeguar se problemi i numërimit ndodhi ekskluzivisht në njërën nga katër kokat/pllakat e printerëve me ngjyrë, përgjegjëse për printimin e numrit të qendrës së votimit, dhe se marrin përgjegjësi për këtë gabim, sipas të cilës në rrethana normale do të ishte pothuajse i pamundur të ndodhte.

Sidoqoftë, për të ruajtur integritetin e procesit të numërimit të fletë votimeve, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka caktuar dy hetues policorë që do të jenë prezent gjatë tërë kohës deri në përfundimin e plotë të procesit të numërimit.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës ende nuk ka pranuar vendimin e Prokurorisë Themelore për rifillimin e numërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë.

Anëtari i kësaj partie në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Arianit Elshani, tha se kur të pranojnë vendimin do të vendosin nëse do të dërgojnë komisionerët për të rifilluar numërimin.

“Në momentin që e pranojnë vendimin konsideroj që të gjitha organet e PDK do ta shqyrtojnë dhe do të ndërmerren hapat e mëtutjeshëm lidhur me procedimin se a to të marrin pjesë ekipet e numërimit në QKN. Ajo që ne dimë është se ekipet e numërimit gjatë ditës së djeshme janë larguar për shkak se nuk kanë dashur të nënshkruajnë formular dhe nuk kanë dashur të legjitimojnë një proces për atë që kanë dyshuar”, tha Elshani.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës dha urdhër për rifillimin të numërimit pasi ka pranuar përgjigjen nga kompania sllovene Cetis për gabimin e saj në disa fletëvotime për komunat Mitrovicë Jug dhe Gjakovë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos