
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, duke e akuzuar se “mohon ekzistencën e narkoshtetit” dhe se, me dashje ose pa dashje, “po mbështet Edi Ramën në platformën e tij të pushtetit”.
Berisha tha për gazetarët se pasojat e “narkoshtetit” janë të dukshme në çdo aspekt të jetës: “Kjo ka sjellë tretjen e kombit shqiptar, rënien e prodhimit, rënien e punësimit dhe largimin masiv të qytetarëve nga vendi. Shqipëria është bërë eksportues madhor i krimit në Europë dhe në botë”, shkruan A2 CNN.
Sipas tij, ndonëse Shqipëria është një vend i bekuar me pasuri natyrore, qytetarët jetojnë më keq se kurrë. “Çmimet e ushqimeve janë 118% më të larta se në BE, ndërsa shqiptarët jetojnë me 300 apo 500 euro në muaj”, deklaroi Berisha.
Ai kujtoi periudhën e kultivimit masiv të kanabisit, duke akuzuar ndërkombëtarët se “në vend që të ndalonin shkatërrimin, e përgëzuan”. “Donald Lu përgëzoi policinë për luftën kundër drogës, ndërkohë që vendi mbulohej me plantacione”, u shpreh ish-kryeministri.
Berisha tha se ligji i barazisë gjinore, që sipas tij “nuk e kanë pranuar shumë vende të BE-së”, u përdor si “alibi për të shmangur debatin mbi krimin dhe korrupsionin”. (A2 Televizion)
