
Para ndeshjes Iliria-Skënderbeu, një prej takimeve më të rëndësishme të javës së 14-të të Kategorisë së Parë, janë dhunuar lojtarët e Skënderbeut dhe trajneri Ernest Gjoka, sipas një njoftimi të klubit korçar.
“Dhunohen futbollistët e KF Skënderbeu dhe trajneri Gjoka nga stafi dhe futbollistët e KF Iliria përpara sesa të futen në dhomat e zhveshjes. Ky nuk është futboll. Në këto kushte nuk mund të luhet futboll. Në Korçë mikrpritja është kult, ndaj të njëjtën gjë presim dhe ne nga ekipet kundërshtare”, lexohet në reagimin e klubit korçar.

Ndërkohë, Federata e Futbollit njofton se ndeshja e javës së 14-të, Iliria–Skënderbeu, e programuar për t’u luajtur sot në orën 13:30 në stadiumin “Redi Maloku” në Fushë-Krujë, nuk është zhvilluar për shkak të shqetësimeve të raportuara lidhur me kushtet e sigurisë.
Sipas informacioneve paraprake, në momentin e mbërritjes së ekipit të Skënderbeut në stadium, mësohet se ka pasur një incident mes lojtarëve dhe stafit të klubit Iliria, ku dyshohet se janë përfshirë edhe në konfrontime fizike.
Për shkak të këtyre rrethanave dhe problematikave të ngritura për sigurinë, është vendosur që ndeshja të mos luhet. Çështja do të shqyrtohet nga komisionet juridike të FSHF-së, të cilat do të marrin vendimin përfundimtar lidhur me këtë ndeshje. (A2 Televizion)